Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti i Kinës Xi Jinping takohen në Kaliforni për të stabilizuar marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve. Takimi do të zhvillohet në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (Apec).
Biden dhe Xi nuk janë takuar më personalisht që nga samiti i G20 në Bali, të Indonezisë, para një viti. Pala amerikane tha se qëllimi i bisedës, e cila pritet të zgjasë disa orë, është formësimi me përgjegjësi i konkurrencës midis dy vendeve si dhe krijimi i kanaleve të sigurta të komunikimit për të shmangur zhytjen në ndonjë konflikt.
Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha të botës janë prej kohësh shumë të tensionuara. Një konflikt tregtar, akuza për spiunazh, tensionet rreth Tajvanit dhe qëndrimi i Kinës në luftën e Ukrainës e kanë çuar marrëdhëniet mes tyre në një pikë të ulët.
Megjithatë muajt e fundit të dyja palët janë përpjekur të ringjallin komunikimin me njëra-tjetrën. Takimit të presidentëve u kanë paraprirë takime të shumta mes zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të qeverive të të dyja vendeve përpara./ DW