Pesë minuta zgjati seanca e sotme plenare e Parlamentit të Shqipërisë. Kaq i mjaftoi shumicës socialiste me Edi Ramën në krye që sot ishte vetë në Parlament për të miratuar buxhetin e vitit 2024. Deputetët e dy palëve erdhën një orë përpara në sallë. Garda kishte marrë masa të forta për të parandaluar futjen e tymueseve, por sërish dështoi. Në nisje të seancës Flamur Noka ndezi tymuesen në sytë e Edi Ramës.
Lindita Nikolla e përjashtoi direkt. Më pas kaloi në votimin e buxhetit. Në këtë moment në krahun e deputetëve të opozitës mori flakë tymuesja. Deputetët shpejtuan për ta fikur. Lindita Nikolla dhe socialistët e votuan më pas shpejt e shpejt buxhetin me 73 vota në parim duke ikur nga Parlamenti. Opozita me në krye Sali Berishën deklaron se nuk ka tërheqje dhe jetë normale parlamentare nëse nuk plotësohen tre kushtet e saj.