Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kanë kaluar dy muaj nga sulmi i Serbisë në Banjskë të Zveçanit, kohë më se e mjaftueshme sipas tij për të hetuar ngjarjen dhe për të vendosur sanksione ndaj Serbisë.
“Konsiderojmë se është e domosdoshme që dy muaj pas sulmit terrorist dhe kriminel në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë, heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, është kohë më se e mjaftueshme që të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione mbi këtë akt të agresionit të Serbisë ndaj vendit tonë që cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, dhe sigurinë tonë kombëtare”, tha Kurti.
I cili ka komentuar edhe ndalimin e vizitave dhe telefonave për ish-krerët e UÇK-së. Sipas tij, këtu bëhet fjalë për zhvillim negativ, porse shtoi se ndikimi i tyre në këtë drejtim është tejet i vogël.
“Sigurisht se bëhet fjalë për zhvillim negativ, meqenëse e pësojnë familjet, më të dashurit e atyre që po mbahen mbi tri vjet në burgun e Hagës. Unë këtë e kam marrë vesh nga deputetja Shqipe Selimi, që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën këtë zhvillim negativ. Ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi, mirëpo natyrisht jemi duke u munduar se si mund të ndihmojmë”, tha Kurti.