Kryeministri Edi Rama u shpreh sot do të vazhdojë që të mbështesë SPAK-un dhe drejtësinë e re pa bërë asnjë koment. Tha se Sali Berisha dhe pjesa tjetër që thonë se SPAK-u është “mjet represioni i përdorur nga Rama” është në hall dhe e kupton. Theksoi se ka shumë padurim që ky institucion të nisë hetimet për 21 Janarin.
“SPAK-u ka trazuar një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Është hera e parë që ekziston një grup prokurorësh që bën atë që i thotë mendja. Nuk ka pasur ndonjëherë.
Më parë prokuroria ka bërë çfarë i kanë thënë ata që kanë pasur pushtetin ekzekutiv, nga ata që kanë pushkatuar njerëz me urdhër nga lart deri tek ata që u bënë oligarkët e vërtetë të këtij vendi.
SPAK-u ka krijuar shumë polemika, nga ata që thonë se “janë shpëtimtarët e shumëpritur të kombit” deri tek ata që thonë se është “mjet represioni i përdorur nga Rama”. Këta të dytët janë në hall, por nuk i ndihmoj dot.
SPAK-u është strukturë e pavarur. Unë e mbështes SPAK-un pa kushte, edhe kur mund të kemi gjëra për të thënë të mbyllim gojën se përndryshe bëhemi pjesë e një polemike që nuk e ndihmon SPAK-un që të bëjë punën e vet.
Deri këtu jemi dhe kështu mendoj unë. Më tutje koha do të na tregojë edhe ne edhe atyre, sa dhe si gjërat ecin dhe a mund të bëhen më mirë dhe si, por për momentin ne kemi vetëm këtë detyrë.
Nuk jam në dijeni që të ketë hapur ndonjë çështje SPAK-u, pra të 21 Janarit, por nuk e fsheh që e pres këtë gjë me shumë padurim” tha ai.