Në një intervistë për Eurosport, trajneri i kombëtares sonë, Sylvinho është shprehur se po kalon një nga momentet më të bukura në karrierë, si trajner, teksa kujtojmë se, si futbollist, braziliani ka arritur të fitojë dy herë trofeun e UEFA Champions League, gjatë kohës kur luante me “katalanasit” e Barcelona.
“Kjo është një ëndërr për mua. Nëse dikush do të më pyeste një apo dy vite më parë: a do të shkosh te Shqipëria? Unë do i përgjigjesha: nuk e di. Dua të them është se kur je trajner, ose dhe lojtar, gjërat ndodhin shumë shpejt. Preferoj të përjetoj momentin. Objektivi ynë është të përgatitim ekipin kombëtar për 6-7 muajt e ardhshëm,” tha Sylvinho.
“Unë besoj shumë te marrëdhënia me lojtarët. Është ndryshe kur në mes futet një përkthyes, është ndryshe kur flet me zemër dhe i sheh djemtë në sy. Gjithashtu ka shumë rëndësi të flasësh me lojtarë të caktuar, por më e rëndësishmja është zemra dhe shpirti që ke në skuadër.
Pa këto nuk mund të luash. Mund të jesh futbollist i madh, mund të jesh ndryshe dhe i veçantë, por nëse nuk ke frymën dhe shpirtin e grupit, ti nuk mund të arrish objektivin. Futbolli nuk është një lojë individuale,” tha trajneri.