Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk është ai i cili duhet ta publikojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë, sipas tij, duhet të bëjë ndërmjetësi evropian.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
“Tash i përket ndërmjetësit [BE-së], i përket ndërmjetësit evropian që ta bëjë publik draftin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk i bëj dot publike vërejtjet dhe kritikat e mia.
Besoni që ka akterë të ndryshëm që mezi presin unë të bëjë shkelje të procesit dhe procedurave dhe kjo do ta dëmtonte përfaqësimin e Republikës së Kosovës.
Sa për mua le ta publikojnë edhe draft-statutin, e kësisoj të hapet edhe rruga për të publikuar edhe ne vërejtjet e kritikat tona”, tha Kurti para gazetarëve të premten në Prishtinë.