Partia Demokratike e Kosovës dhe njohës të proceseve zgjedhore mbështesin qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 17 dhjetor në Kosovë.
Sipas partisë opozitare, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka dëshmuar qëllimet e Serbisë në Kosovë, andaj as nuk duhet të diskutohet kërkesa për lejimin e mbajtjes në zgjedhjeve në territorin e vendit.
Në të kundërtën, njohësit konsiderojnë se Serbia duhet të ketë marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën për të organizuar zgjedhjet në vendin tonë, gjithmonë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Serbia më 3 nëntor ka dërguar një kërkesë OSBE-së, që ky mision të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi, më 17 dhjetor.
Në lidhje me këtë kërkesë, kryeministri Albin Kurti dhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport u takuan gjatë kësaj jave. Siç thuhet në komunikatën qeveritare, Kurti e ka bërë të qartë se për një kërkesë të tillë Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të ndër-shtetërore dhe se kërkesa duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.