-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Si arriti një shqiptar në xhunglën e Kosta Rikës?

Kryesoret

Nga Enver Robelli

Në fillim ishte lufta e Kosovës, pastaj Amerika – dhe dikur u shfaq Kostarika: mbi një udhëtim nëpër botë të Alban Gecit. Në Kostarikë je i shtyrë të ecësh me veturë nëse brenda një kohe racionale dëshiron të arrish nga një vend në tjetrin. Por kur del në rrugë me veturë, atëherë duhet kujdes i shtuar. Besoj nuk e lëndojmë krenarinë dhe patriotizmin e njerëzve të këtij vendi të Amerikës Latine nëse themi se jashtë veturës ata janë tejet të përzemërt e të gatshëm të të ndihmojnë, por sapo kapin timonin shndërrohen në bërrylaxhinj të paskrupullt. Jo të gjithë, por gjithsesi një pjesë e madhe.

Aksidentet në rrugët e Kostarikës nuk janë të rralla. Kur shkuam në Parkun Nacional Chirripó, pamë një aksident të tmerrshëm: një motoçiklist me gjasë ishte ndeshur frontalisht me një kamion. Rreth të lënduarit (apo të vdekurit?) të mbuluar me një batanije qëndronin disa njerëz, me gjasë prisnin ndihmën e shpejtë. Kur u kthyem nga Chirripó, një autobus me studentë kishte rrëshqitur nga rruga. Fatmirësisht ishte ndalur nga disa lisa, ndryshe do të përfundonte në një humnerë.

Me të gjitha këto mendime në kokë, më 6 nëntor u nisa – me një veturë të marrë me qira – drejt Liqenit të Arenalit, pranë të cilit gjendet edhe vullkani me të njëjtin emër. Është vullkani më aktiv i Kostarikës. Pastaj rruga do vazhdonte drejt fshatit Cabanga (Pueblo Nuevo) dhe tutje në xhungël. Tri ditët e ardhshme do t’i kaloja në Protopia Community, një fermë e permakulturës, një qendër për inovacion social dhe një hapësirë ku njerëzit mund të jetojnë në harmoni me natyrën.

«Prit aty se të pashë kur kalove në fshat», më tha në telefon Alban Geci. Isha ndalur buzë xhunglës, në një rrugë që kalohet vetëm me vetura 4×4 dhe kisha përshtypjen se gjithë shiu i botës po binte në atë çast. Pas pak minutash arriti Albani me një xhip «pick-up», doli para meje dhe më priu drejt Protopia Community. Teposhtë, përpjetë, disa kthesa në të majtë, disa në të djathtë, një urë druri mbi një përrua, një përpjetë e fundit – dhe arritëm në cak.

Si erdhi një shqiptar nga Kosova në xhunglën e Kostarikës? Kjo është historia (e shkurtër) e Alban Gecit: gjatë luftës së Kosovës, më 1999, ai ishte fëmijë kur vajti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me familjen, shërbeu si ushtar amerikan në Japoni dhe në Gjirin Persik, u kthye në SHBA, studioi politikën, u mor me biznes, pastaj ndoqi një ëndërr të ngahershme: jetoi dy vjet në një minibus duke shëtitur nëpër botë, qëndroi disa vite në Kosovë dhe më 2019 – bashkë me një shok të tijin, Krenar Qehajën, një specialist i IT-së – shkuan në Kostarikë dhe blenë 14 hektarë tokë në xhungël. Dhe investuan në projektin Protopia Community.

Nën një kulm që e mbajnë disa shtylla druri gjendet kuzhina dhe hapësira për të ndenjur. Uji vjen nga përroi i afërt dhe filtrohet për pije. Rreth e rrotull mund të vilen pemë të ndryshme tropikale – prej minibananeve deri te rambutani (në Kostarikë i njohur edhe si Mamón Chino).

Për shkak të efekte të favorshme shëndetësore rambutani quhet edhe «super-frutë».

Përbëhet nga acidi galik dhe disa antioksidante, të cilat ndihmojnë në luftimin e qelizave që krijojnë kancerin. Fosfori dhe vitamina C janë substanca të rëndësishme për lëkurën, dhëmbët, veshkat. Bakri e mangani ndihmojnë në krijimin e rruazave të kuqe dhe të bardha të gjakut.

Ndërsa tre qenë dhe një mace na sillen nëpër këmbë, Albani e përmend konceptin kooperativist të Migrosit në Zvicër si shembull që do të ishte mirë ta kopjonte Kosova.

Migrosi, një rrjet dyqanesh në Zvicër, funksionon sipas modelit të kooperativës. 2,3 milionë zvicerane dhe zviceranë janë anëtarë të kooperativës Migros. Gati të gjithë zviceranët blejnë ushqimet e tyre në Migros. Shumë prej tyre kanë një xhirollogari në bankën e Migrosit.

Dallimi mes kooperativës dhe ndërmarrjes është ky: në kooperativë vlen parimi demokratik «një person, një votë». Në ndërmarrje një person mund të ketë 51 për qind të aksioneve dhe kështu të marrë vendime kokë më vete.

Më 1928 themeluesi i Migrosit Gottlieb Duttweiler mori vendim që në filialet e kooperativës së tij të mos shitet alkool. Vitin që shkoi Migrosi organizoi një referendum mbi lejimin e shitjes së alkoolit. Por shumica e anëtarëve që morën pjesë në referendum votuan kundër, andaj edhe më tutje në Migros nuk do të ketë pije alkoolike. Ideja e Albanit për kopjimin e modelit të

Migrosit nuk ka të bëjë me ndalimin e shitjes së alkoolit (është vendim personal i secilit nëse konsumon apo jo alkool, duhan apo qershia). Ideja është që përmes një sistemi të kooperativës qytetarët të marrin vendime në mënyrë demokratike për një çështje aq të rëndësishme si ushqimi.

Për shkak të afërsisë me ekuatorin, pak para orës 18 Kostarikën e mbulon terri. Temperatura është shumë e përshtatshme për gjumë, rreth 20 gradë. Dhe shpesh para orës 21:00 më mbyllen sytë. Sipas Happy Planet Index njerëzit më të lumtur jetojnë në Kostarikë. Jo për shkak se i kanë rrogat më të larta, por për shkak se janë të kënaqur me pak, janë të rrethuar nga natyra shumë e bukur dhe jetojnë në një klimë që i bën mirë shëndetit; për dallim nga shtetet e tjera latinoamerikane, Kostarika ofron një shërbim të mirë të kujdesit shëndetësor dhe një sistem relativisht stabil të pensioneve.

Është normale që në Kostarikë të zgjohesh në orën 05:00. Kështu ndodhi më 7 nëntor. Pas një dushi në xhungël (uji i freskët vinte direkt nga lumi përmes një lugu prej druri), caku i radhës ishte Parku Nacional Volcán Tenorio. Mes shumë atraksioneve këtu po i veçoj dy: ujëvarën Catarata Celeste (30 metra të lartë) dhe lumin Río Celeste, uji i të cilit në vendin e quajtur Los Tenideros përzihet me minerale dhe merr ngjyrën e kaltër të qiellit. Pasi përfunduam ecjen nëpër malet e Tenorios, vazhduam drejt La Fortunas, një qytezë turistike me një lum çudibërës: ujërat hipertermike të tij kanë një temperaturë mes 37 dhe 41 gradë celsius, shtendosin muskujt, zbusin dhimbjet dhe shërojnë inflamacionet. Pas një ecje të gjatë në Tenorio, shtendosja e muskujve në lumë është terapia më fantastike. Dhe përgatitja më e mirë për ditën e nesërme (8 nëntor), kur do të kalonim nëpër njërin nga shtigjet e Parkut Nacional Monteverde.

Me 166 zona të mbrojtura – mes tyre 27 parqe nacionale, 9 rezervate malore, 71 zona për mbrojtjen e kafshëve – Kostarika (me 51 mijë kilometra katrorë pak më e madhe se Zvicra) josh turistë sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Kush viziton këtë vend, shpejt gjendet para një dileme: çfarë të shoh së pari? Trevën e bukur afër vullkanit Arenal, i cili shpesh pështyn lavë, rreth 10 mijë lloje bimësh, 850 lloje zogjsh dhe 380 lloje gjarpërinjsh dhe kafshësh amfibe, breshkat gjigante në bregun e oqeanit Paqësor apo Atlantikut, malet e mbështjella me mjegull, perëndimin e diellit në Santa Teresa në siujdhesën Nicoya? Pas gati 10 ditësh, Kostarika ende nuk i kishte harxhuar befasitë dhe bukuritë natyrore. Andaj duhej vazhduar ecjen…/ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit