Policia e Shtetit kalon në gatishmëri të përforcuar, nga mbrëmja e datës 25 nëntor deri më datë 30 nëntor. Nisur nga situata e krijuar mbrëmjen e datës 25 nëntor, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Rendit, në akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’iu shkuar në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.
Gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime, informoi sot policia. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me policitë bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Gjithashtu, janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cenim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive. Njëkohësisht, janë marra masa në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare.