-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Ikonomi: Si lindi Shqipëria

Kryesoret

Për të shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe njerëzit që e shoqëronin bënë një rrugë të gjatë që filloi nga Stambolli në datën 2 të atij muaji. Pjesa e fundit e këtij udhëtimi ishte rruga e mundimshme me kuaj nga Durrësi për në Vlorë. Një korrespondent anglez ndodhej ato ditë në Durrës dhe na ka dhënë një përshkrim të hollësishëm. U bë edhe një fotografi, por ajo ka humbur. Përshkrimin e gazetarit e kam përkthyer nga gazeta The Sun e Baltimorës:

Korrespondenti i gazetës Daily Telegraph në Durrës na jep hollësi interesante për themelimin e shtetit më të ri në botë, Shqipërisë. Ai na dërgon një përshkrim nga skena e nisjes drejt Vlorës të Ismail Qemal beut dhe eskortës së tij prej patriotësh të armatosur për të mbajtur Kuvendin Shqiptar.

Ai shkruan: Ismaili dhe delegatët që e shoqëronin ndenjën dy ditë në një hotel të Durrësit, të mbrojtur nga roje ushtarake që përbëhej kryesisht prej pushkatarësh, asnjëri prej të cilëve nuk ishte më pak se 60 vjeç. Skena e nisjes së Ismailit ishte mjaft piktoreske, sepse në larminë e ngjyrave kishte diçka orientale. Në fillim erdhën banorët e qytetit, të rinjtë dhe më pas të moshuarit.

Ata kishin mësuar se delegatët ishin gati të niseshin në misionin e tyre, që do të shënonte një epokë të re, dhe rrinin në pritje për të parë, sepse koha nuk kishte asnjë rëndësi për ta. Pritën një orë e gjysmë, deri kur çdo gjë ishte gati për nisjen. U shfaqën disa kuaj të vegjël, pastaj disa të tjerë deri sa u bënë rreth 20 gjithsej.

Disa prej kuajve u ngarkuan me valixhe dhe ushqime. Në njërin kalë vareshin në të dy anët arka nga ato të portokalleve dhe brenda tyre hipën dy kalamaj që nuk pushonin së qeshuri. Diku më tej dukej një karrocë qerreje, mbuluar me një si dyshek, mbi të cilin u vendosën valixhet që kuajt nuk i mbanin dot.
Por ajo që ngjalli shumë më tepër interes për turmën, ishin delegatët dhe kuajt e shalës që po përgatiteshin për ta.

Disa nga delegatët dukeshin të rinj dhe luftarakë, të tjerët ishin të moshuar dhe me pamje të mençur. Një prift katolik mes tyre, në vend të kamillafit të zakonshëm me strehë të gjerë, mbante një kapele me majë si ato që përdoren në forcat detare, dhe që ishte e stolisur me një gërshetë ngjyrë ari. Po të mos kishte në dorë kamxhikun, prifti do t’i ngjante një oficeri marine të maskuar.

Me sa munda të shihja, ai dhe Ismail Qemali ishin të vetmit pjestarë të paarmatosur të grupit që po nisej për misionin e madh.

Dalëngadalë njerëzit u shtuan, derisa u duk sikur i gjithë Durrësi kishte vërshuar në vendin e ngjarjes. Erdhi edhe një fotograf, i cili vendosi trekëmbëshin dhe shkrepi një foto të kësaj skene të paharrueshme. Nuk e kisha menduar se Durrësi kishte fotograf.

Ndërsa ai bënte shkrepjen, shumë njerëz nisën të ndihmojnë për të shaluar kuajt. Kjo nuk ishte aspak punë e lehtë. Njëra prej shalëve që ishte fare e re, bënte naze dhe nuk qëndronte kurrsesi mbi kalë.

Gjithsesi, në fund çdo gjë ishte gati. Te porta e hotelit u soll një kalë ngjyrë gri. Anash tij u vendos një karrige dhe, në praninë e turmës së mbledhur, Ismail Qemali e shaloi pa vonesë.
Por jo gjithçka kishte mbaruar. Ndërsa kureshtarët shtyheshin, një i moshuar mes delegatëve, që duhet të ishte njeri i respektuar dhe që mbante një karabinë mbi shalë, drejtoi kalin dhe i foli turmës në shqip. Ai shpjegoi se delegatët po niseshin me një mision në interes të kombit dhe shprehu shpresën se Durrësi do t’u uronte mbarësi në këtë punë që kishin ndërmarrë.

Gjithkush do të kishte menduar se në këtë çast turma do të shpërthente në brohoritje dhe në thirrjet “rrugë të mbarë”. E megjithatë, askush nuk shqiptoi qoftë edhe një fjalë të vetme. Ismail Qemali dhe njerëzit e gëzuar që ai kryesonte, në mënyrë metaforike u ranë mamuzeve dhe u nisën për misionin e tyre.

Ishte një karvan jashtëzakonisht piktoresk që po linte qytetin. Në ballë të tyre marshonin dy xhandarë të armatosur, ndërkohë që një mori simpatizantësh i shoqëruan në këmbë delegatët, sikur të donin t’i shpejtonin në rrugën e tyre. Nga dritaret dhe ballkonet, Durrësi e ndoqi me sy karvanin e vogël, i cili u zhduk pak nga pak në mjegullën e mëngjesit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit