Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nesër për festën e pavarësisë do të jetë i pranishëm në Tiranë. Ai do të vizitojë Vlorën ku edhe do të bëjë homazhe në nder të dëshmorëve dhe heronjve që vdiqën për liri.
I pyetur se a do të ketë mbledhje të përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kurti ka thënë se do të ketë.
Ndërsa kur është pyetur se nëse do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ai nuk është përgjigjur.
“Sigurisht se do të kemi edhe mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ndërkaq, unë sonte do të jem në Tiranë, për shkak se teatrot tona do të japin një shfaqje përmbyllëse me regji të Ilir Bokshit dhe njëkohësisht do të japin edhe çmimet përkatëse. Ndërkaq, nesër do të jem në Vlorë, ku do të bëjmë homazhe, nderim për panumër dëshmorë e heronj të cilët sakrifikuan që të jemi të lirë e të bashkuar. Deri më tani kemi 184 marrëveshje dhe nuk ka asnjë qeveri në Kosovën e pavarur e cila ka bërë më shumë marrëveshje dhe zbatim të tyre sesa kjo e jona për rreth 2/3 e mandatit”, ka thënë ai.