Në fabulën e La Fontenit, “Kafshët e sëmura nga murtaja” luani, mbreti i kafshëve, thirri një kuvend për të dhënë drejtësi. Aty do të gjykohej kafsha që kishte bërë mëkatin më të madh për shkak të të cilit Perëndia ishte inatosur dhe si ndëshkim kishte shpërndarë epideminë e murtajës në pyll. Ndëshkimi i mëkatarit do të sillte shpëtimin e të tjerëve. Pasi luani dhe kafshët grabitqare të oborrit të tij pranuan me ndërgjegje të plotë të gjitha krimet makabre që kishin kryer, në fund ngrihet edhe gomari duke pranuar mëkatin e tij. Ai kishte ngrënë pak bar të freskët nga livadhi i famullisë. Pas këtij pohimi, oborrtarët e indinjuar kërkuan njëzëri vdekjen e tij, si ndëshkim për këtë mëkat. Dhe gomarin e varën. Nëse shihet pak me kujdes, në mënyrë që drejtësia e dhënë në fabulën e La Fontenit të krahasohet me realitetin shqiptar, do të rezultonin disa probleme ende shqetësuese për shoqërinë tonë në këto kohë.
Ndëshkimi i gomarit të La Fontenit për një mëkat të papërfillshëm nuk është thjesht padrejtësi, por një lloj drejtësie, e cila nuk dënon fajin apo krimin sipas dëmit që i shkakton shoqërisë, por individin për shkak të shtresës sociale së cilës i përket. Është ai që do të paguajë krimin. Pikërisht kjo lloj drejtësie kërkohet dhe pëlqehet sot nga mëkatarë të panumërt të shoqërisë shqiptare. Ata ngrihen dhe linçojnë gjyqtarë e prokurorë sapo një vendim i njërit prej tyre u duket i padrejtë, sepse e shohin pozitiv dhe në favor të një individ, të cilin ata e urrejnë apo thjesht nuk e pëlqejnë. Në tërësi, kjo urrejtje kushtëzohet nga përkatësia politike, madje edhe sociale e personit nën hetim për një vepër të caktuar penale.
Në një atmosferë të tillë gjyqtari pëson mbi kurriz shkarkimet e vrerit publik të grumbulluar për motive politike ndaj individit që gjykon. Herë spontan, herë i mirëmenduar, një fenomen i tillë qëndron dramatikisht në themel të gjykimeve mediatike që i bëhet drejtësisë dhe anëtarëve të saj në Shqipëri. Nëse një gjyqtar dënon ashpër një individ me aktivitet të njohur publik, ata që nuk e duan, apo kundërshtarë të tij politik lumturohen, të tjerët thartohen, ankohen, zhgënjehen dhe kërkojnë llogari se përse nuk bëhet e njëjta gjë për individin kundërshtar në krahun tjetër. Ndaj dhe shpesh në komente mediatike thuhet rëndom se SPAK goditi majtas e tani duhet të qëllojë djathtas, apo anasjellas. Në thelb, atmosfera e ndezur politike shqiptare mbetet gjithmonë në themel të gjykimeve të kësaj natyre mbi drejtësinë dhe vendimet e saj. Në to shihet përkatësia e individit dhe jo sesa e rëndë është shkelja penale.
Duke qenë se komentatorët e vendimeve të drejtësisë nuk kanë asnjë mundësi konkrete, apo aftësinë e duhur profesionale për të verifikuar nga afër vendimet e drejtësisë, atëherë çdo qëndrim mbahet në përputhje me opinionin ndaj personit në duart e drejtësisë. Fatkeqësisht në këtë atmosfere nuk mungojnë as komentet e politikanëve herë me sulme të drejtpërdrejta ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve dhe herë sipas modelit “hidh gurin dhe fshih dorën”, pra nëpërmjet levave mediatike në dispozicion. Të gjithë krahët politikë, direkt apo në fshehtësi japin nga një dorë për të minuar atë që sapo u ndërtua. Edhe publiku i gjerë, i ndikuar apo manipuluar, nuk ngel pas. Më konkretisht: Ditë më parë, një gjyqtare e gjykatës së shkallës së dytë të krimeve të rënda, zbuti masën e sigurisë për një qytetar me pozicion të dukshëm politik dhe me lidhje sociale me persona po ashtu me aktivitet politik, siç është dhëndëri i liderit historik të PD-së.
Bëhet fjalë për një gjyqtare, e cila ka kaluar me sukses të gjitha shkallët e vetingut, pra një gjyqtare e drejtësisë së re me të cilën një pjesë e mirë e politikës mburret. Mjaftoi ky vendim i saj për një person me profil të lartë politik dhe në medien e shkruar vërshuan shkrime të shumta, në ato vizive u shfaqën oratorë, aktivistë anonimë jo të paktë që dalin rregullisht në televizion për të linçuar persona publikë në raste të tilla. Nuk munguan natyrisht edhe patronazhistë me telefonata të shumta në orët e mëngjesit. Të gjithë së bashku, nën dirigjimin e një dore të padukshme, në të njëjtën ditë, me një të njëjtin mllef filluan të bëjnë vetingun gjyqtares nga e para, por këtë radhë në formë linçimi publik. E gjithë kjo mori individësh nuk e vrau për asnjë sekondë mendjen se nëpërmjet këtij linçimi minuan besueshmërinë e vetingut me të cilin po vetë mburren, po ashtu edhe besimin te drejtësia e re.
Duket qartë që një sulm i tillë masiv dhe nga të katër anët, nuk ndjente merak për cilësinë e drejtësisë e dhënë, por urrejtje për personin që përfitoi nga kjo drejtësi. Pavarësisht cilësisë së penave që linçuan gjyqtaren, në sulmin kundër saj nuk mund të fshihet dot mjedisi me natyrë politike prej nga buroi sulmi i nënkontraktuar. Tashmë, është bërë prej kohësh e ditur se liderët politikë të cilët në një moment të karrierës së tyre kryejnë detyra të larta qeveritare, nuk i godasin direkt apo publikisht institucionet e pavarura, as individët e tyre për të cilët janë investuar, edhe kur mund të japin vendime të diskutueshme. Siç është rasti konkret i gjyqtares. Ata mbajnë dhe paguajnë pranë vetes, me shumicë, individë të profileve dhe profesioneve të ndryshme nëpërmjet të cilëve kryejnë goditjet e ulëta mediatike ekzaktësisht ndaj atyre që i mbështesin publikisht. Kushdo qofshin këta individë, edhe të drejtësisë.
Ndryshe nuk ka sesi të kuptohet orkestrimi masiv i njëzëshëm që linçoi njeriun e drejtësisë. Ndërkohë, disa ditë më pas, e njëjta gjyqtare dha një vendim për të njëjtin person. Por këtë radhë vendim i saj ishte në përputhje me dëshirat e stuhisë së mësipërme dhe natyrshëm askush nuk komentoi. E gjithë orkestra pushoi njëzëri. Fatkeqësisht gjykime të tilla publike nga jashtë drejtësisë, flasin për faktin se jemi ende në kohën e La Fontenit ku në vendimet e mara, drejtësia gjykohet sipas përkatësisë politike të personit që gjykohet dhe jo sipas fajit të kryer. Diçka tjetër që konstatohet në rastin e gjyqtares, është edhe mungesa e solidaritetit të kolegëve ndaj saj. Pas kaq shumë sulmeve mediatike prej të cilave ajo u viktimizua, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e pa të arsyeshme të dilte me ndonjë deklaratë publike për të bërë thirrje që të ndalen sulme të tilla. Ky fakt hedh po ashtu dritë mbi mjedisin politik të burimit të sulmeve ndaj gjyqtares.
PËRSE KY ARSYETIM?
Kryetari i PD-së, quajtur ndryshe “Rithemelimi “, sulmoi disa herë me tone të ashpra një prokurore të SPAK. Plotësisht në të drejtën e tij, Këshilli i Lartë i Prokurorisë doli me një deklarim publik, që mbështet prokuroren e linçuar publikisht, gjë që nuk e bëri KLGJ. Kjo tregon se pavarësisht hapave pozitivë të hedhur kohët e fundit, edhe vetë drejtësia në Shqipëri shfaq ende shenja të moralit të fabulës së La Fontenit. Kur sulmi i padrejtë vjen nga mjedisi i një krahu politik, për gjyqtaren e sulmuar heshtet, kurse kur ky sulm vjen direkt nga krahu tjetër i mjedisit politik, jo qeverisës, për prokuroren ka mbrojtje publike.