Opozita prej disa javësh ka futur Kuvendin në kaos duke bllokuar punimet me argumentin se Partia Socialiste nuk i lejon të drejtën e ngritjes së komisioneve hetimore që ia jep ligji. Por shumica ka injoruar cdo kërkesë të demokratëve, madje sot njoftoi se ka depozituar draftin në Kuvend që ka si synim ndryshimin e ligjit që përcakton ngritjen e komisioneve hetimore.
“Doja të ndaja një njoftim me ju. Në emër të PS, si deputete e PS kam depozituar nismën për disa shtesa dhe ndryshime për komisionet hetimore. Dua të them se produkti që u formalizua që u depozitua si projektligj është produkt i një pune disamujore.
Që në krye të herës është folur në Kuvend për nevojën e rishikimit për komisionet hetimore, nga opozita dhe maxhoranca. Në këtë ligj nuk janë reflektuar vendimet e gjykatës kushtetuese.
Përfundimin e punës për komisionet hetimore siç është çështja e inceneratorëve nga të dy përfaqësuesit, të maxhorancës dhe të opozitës, secili nga këta përfaqësues kanë kërkuar rishikim të ligjit për komisionet hetimore”, tha Ermonela Felaj.
Por çfarë do të ndryshojë me këtë draft? “Hetimi parlamentar duhet të ngelet i tillë, nuk duhet të njësohet me hetimin penal. Është prokuroria që ka ekskluzivitetin në ngritje të akuzës. Këtë nuk mund ta marrë kuvendi.
Kjo ka qenë ajo pikë e rëndësishme debati. Duke parë me kujdes se cfarë ka thënë gjykata kushtetuese, jemi kujdesur, jo që kuvendi nuk mund të hetojë një cështje që po heton prokuroria, por ajo që nuk ka ndodhur dhe do të duhet të ndodhë sipas ndryshimeve tona, është një ndarje e qartë që të mos shndërrohet në organin që nuk është” tha ajo.