Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për sigurinë që ofron prezenca e NATO-s në në Kosovë, ku shton gjithashtu se prezenca e një numri të lartë të ushtarëve amerikanë pasqyron seriozitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, tha Hovenier.
Ai ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin amerikan për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes. Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo, mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që Qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, tha Hovenier.