Kuvendi Kombëtar i mbledhur nga Sali Berisha ka nisur punimet në orën 11:00 të ditës së sotme në Pallatin e Kongreseve. Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në ambientet e Pallatit të Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha dhe vajza e tij Argita Malltezi. Ai u kërkoi delegatëve që pritet që pa surpriza ta votëbesojnë që të ngrihen në mosbindje civile, pasi sipas tij ndryshe, me vota, Edi Rama nuk largohet.
“Sot shqiptarët kanë më pak para se 10 vite më parë, ndërkohë që në një ekonomi tregu funksionale dhe jo droge dhe oligarkësh, qytetarët duhet të jenë më të pasur vit pas viti. Kjo nuk ndodh se kjo ishte dekada e vjedhjeve të shekullit. Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Erion Veliaj me inceneratorët. Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe Ilir Beqaj me sterilizimin dhe koncesionet në shëndetësi.
Qindra milionë euro u vodhën nga Edi Rama dhe zyrtarët e tij me tendera sekretë. Miliarda euro të tjera janë bërë gati të vidhen në Portin e Durrësit nga Edi Rama dhe Ali Babatë e tij me projekte të tjera. Vjedhje dhe vetëm abuzime dhe vjedhje në dekadën e varfërimit të shqiptarëve.
LIVE-Berisha me gruan dhe vajzën në Kuvend: Na morën vulën, po burgosemi
Kombi ynë është një komb jetëgjatë. Me jetëgjatësinë e tyre, shqiptarët kanë kaluar shumë vështirësi, sulme nga armiq barbarë, diktatura nga më të egra. Për hir të së vërtetës, armiqtë e Shqipërisë kanë qenë të shumtë dhe të ndryshëm. Por unë me shumë dhimbje u ftoj ju kurrë të mos harrojmë se ekziston një lloj armiku, soji i të cilit është më mizori në historinë e kombit tonë. Ky armiku më i lig është armiku shqipfolës. Kemi pasur disa prej tyre, por 10 vitet e fundit në listën e armiqve shqipfolës është shtuar emri i Edi Ramës” tha ai.