Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar pistoletën që u përdor për vrasjen e Liridona Murselit, 10 fishekë dhe automjetin në të cilën e vranë ekzekutorët. Rasti është referuar në prokurori si “vrasje e rëndë”, ndërsa deri më tani janë arrestuar tre persona, mes tyre bashkëshorti i viktimës, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij, ndërsa sikurse shkruan gazeta Express, 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen, ndërsa edhe ky i fundit raportohet ta ketë pranuar fajësinë.
Sipas Gazeta Express, Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019. Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, pasi brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar për të konfirmuar divorcin. Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.