Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, lidhur me dyshimet për vrasjen e Liridona Ademaj.
Nga vendimi i gjykatës mësohet se Naim Murseli dyshohet për bashkëkryerjen e vrasjes, Granit Plava për vrasje të rëndë kurse Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer vrasjen.
Në dëshminë e tij në gjykatë, Murseli ka shprehur se nuk ishte larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa pretendon se i ishte rrezikuar jeta.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë,” thuhet se ka thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.
Avokati Ahmet Ahmeti ka thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.
“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë,” ka thënë avokati Ahmeti.
Avokati kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative. Vendimi për caktimin e paraburgimit është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Sulltane Hoti./Gazeta Express