Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë tha se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.
Reagimi i kësaj zyre vjen pasi trupi gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ka miratuar masat, e kërkuara nga prokuroria, që kufizojnë komunikimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Kufizimi, sipas prokurorisë, erdhi si përgjigje për “kërcënimet ndaj integritetit të procesit”.
“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët,” deklaroi ZPS përmes një komunikate për media.
Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara “për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”.
Kërkesën për kufizim të komunikimeve, prokurorja e specializuar e kishte drejtuar javë më parë, ndërsa trupi gjykues kishte marrë vendim të përkohshëm më 17 nëntor të këtij viti.
Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues ka publikuar vendimin e fundit më 1 dhjetor./REL
Artikulli i plotë këtu.