Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi vendimin e sekuestrimit të disa objekteve të Monika Kryemadhit, deputete e Partisë së Lirisë. Në shpalljen e gjykatës me njoftimet e seancave rezulton emri i Kryemadhit dhe orari i seancës që ishte planifikuar në 13:30.
Erjon Çela ishte gjyqtari që shqyrtoi ankimin e ish-kryetares së LSI-së.
Por cilat ishin objektet për të cilat Kryemadhi paraqiti kërkesën për të hequr sekuestron? Kjo nuk bëhet publike nga prokuroria duke qenë se këto janë kërkesa në fazën e hetimit paraprak.
Gjithashtu nuk dihet zyrtarisht se për cilin kallëzim janë sekuestruar këto objekte. Kryemadhi nuk u paraqit këtë të enjte por u përfaqësua nga avokati Redi Llanaj.