Luftime të ashpra u zhvilluan gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës në qytetin Kan Jounis në jug të Rripit të Gazës, pasi Izraeli e vazhdoi ofensivën tokësore falë vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i bllokuar përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe për t’i dërguar ushtrisë izraelite më shumë municion urgjentisht.
Izraeli është përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar.
Por, Shtetet e Bashkuara i ka dhënë mbështetje jetike ofensivës së Izraelit në ditët e fundit, së pari duke vënë veto ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bënte thirrje për ndaljen e luftimeve, dhe pastaj duke ia shitur Izraelit në mënyrë të përshpejtuar një sasi municioni për tanke në vlerë rreth 100 milionë dollarë.
SHBA-ja i ka premtuar Izraelit mbështetje të palëkundur në synimin e tij për t’ia shkatërruar kapacitetet qeverisëse dhe ushtarake Hamasit grupit radikal palestinez të cilin e cilëson organizatë terroriste në mënyrë që të shmanget përsëritja e ndonjë sulmi si ai i 7 tetorit, i cili edhe e nxiti këtë luftë.
Hamasi dhe militantët e tjerë palestinezë u futën në jug të Izraelit furishëm atë ditë, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë, rreth 100 prej të cilëve janë liruar tashmë gjatë armëpushimit njëjavor muajin e kaluar./REL
Artikulli i plotë këtu.