Mediat në Prishtinë shkruajnë se shteti suedez po i vëzhgon hetimet që po zhvillojnë autoritetet e Kosovës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, i cili dyshohet se porositi vrasjen.
Por nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë nuk kanë pranuar të tregojnë nëse janë përfshirë direkt në hetime, por vetëm kanë thënë se me rastin po merret ambasada e tyre në Prishtinë. Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal atje, për shkak të ligjeve të privatësisë.
“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ-së së Suedisë.
Informacione nuk kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i ka drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, policia suedeze ka thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.
“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në e-mailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze.