Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në platformën X, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar kryesuesit e komiteteve parlamentare të 13 shteteve evropiane që dolën me kërkesë për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kjo letër është nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa shteteve mike.
Në mesin e nënshkrueseve është edhe deputetja britanike Alicia Kearns. Përmes kësaj letre ata kanë kërkuar që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të hiqen.
Kearns ka reaguar duke thënë se në këtë letër kërkohet gjithashtu edhe hetim i plotë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Kanë kaluar më shumë se 2 muaj që kur militantët e armatosur rëndë të udhëhequr nga ish-zëvendës presidenti i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, vranë një zyrtar policor kosovar dhe sulmuan Banjskën. Sasia dhe lloji i armatimit sugjeron mbështetje nga shteti serb. Ne kemi nevojë për një hetim zyrtar me rezultate publike”, ka shkruar Kearns në “X”.
Deputetja britanike shton se Milan Radoiçiç ka pranuar sulmin dhe se i njëjti duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjykimin.
Edhe Osmani ka thënë se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës duhet të hiqen, për të cilat tha se janë të padrejta.
“Faleminderit Alicia Kearns dhe gjithë kryesuesve tjerë nëpër Evropë për përkrahjen tuaj. Paqja dhe siguria lulëzojnë për përgjegjësia dhe drejtësia vihen në qendër të vëmendjes. Masat e padrejta ndaj Kosovës duhet të hiqen!”, ka shkruar Osmani.
Thank you @aliciakearns & all other Chairs across Europe for your support.
Peace and security are the bedrock of a prosperous future for the entire WB.
Peace and security thrive when accountability and justice are put center stage.
The unjust measures against Kosovo must go! https://t.co/IefD1UI68K
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) December 13, 2023