Me gjashtë vota pro dhe asnjë kundër, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë i ka dhënë dritë jeshile kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Sali Berishës. Pesë vota ishin të shumicës socialiste në këtë këshill dhe e gjashta ishte e deputetit Enkelejd Alibeajt që tha “PO”.
Deri të mërkurën në orën 14:00 relacioni duhet të jetë gati që t’i drejtohet Kuvendit në seancë plenare për votimin final ditën e enjte. Më pas zbardhja e vendimit i shkon Prokurorisë së Posaçme që do të vendose se çfarë mase do i kërkojë Gjykatës së Posaçme për Sali Berishën, “arrest në shtëpi apo në burg”.
Mbledhja e këshillit zgjati më shumë se katër orë. Përballja ishte e fortë mes avokatëve të Berishës, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi me Arben Krajën, i vetmi që foli, pasi Enkelejda Millonai nuk e mori fjalën.
Mbrojtja kërkoi që procesi të pezullohet deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese, por kërkesa u rrëzua dhe dokumentacioni i SPAK-ut u pranua. Tani fjalën e fundit nëse do të lejohet arrestimi i Sali Berishës për kompleksin “Partizani” e ka Kuvendi ditën e enjte.