Këtë të diele, bëhen fiks tre muaj nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Nga Prokuroria Speciale s’kanë pranuar të tregojnë se sa mund të zgjasin dhe se kush po heton tjetër përveç Kosovës dhe se cilat janë gjetjet e deritashme, duke u thirrur në ndjeshmërinë e rastit.
Ngjarjet që ndodhën më 24 shtator në Bansjkë, vazhdojnë të mbesin mister. Prokuroria Speciale vazhdon të jetë e mbyllur sa i përket hetimeve që po zhvillon rreth sulmit terrorist që u krye atë mëngjes, ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.
Gazeta Express ka pyetur prokurorinë rreth rrjedhës së këtyre hetimeve dhe se kush tjetër po e heton rastin, por nga ky institucion s’kanë pranuar të përgjigjen.
“Ju njoftojmë se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim asnjë të dhënë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Andaj, kërkojmë mirëkuptim nga Ju!”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.
Krerët e shtetit disa herë kanë lëshuar deklarata, përmes të cilave kanë lënë të nënkuptojnë se për ngjarjet që ndodhën në Banjskë, po kryhen edhe hetime ndërkombëtare.
Madje, Kryediplomatja Donika Gërvalla, kishte thënë se janë në pritje të hetimeve që po kryhen nga Bashkimi Evropian, por nga BE s’kanë konfirmuar asnjëherë diçka të tillë. Sipas burimeve të Gazetës Express, nga Brukseli i besojnë Policisë së Kosovës për këtë hetim dhe se nuk janë duke zhvilluar hetime paralele.