Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka marrë në mbrojtje Sami Lushtakun pas incidentit me kryetarin e degës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani, teksa ky i fundit ka pësuar lëndime trupore.
Kurti për dhunën ndaj zyrtarit të tij: Veprimet e tilla s’na trembin, ne s’ tërhiqemi nga gara!
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon ashpër gjuhën fyese të përdorur ndaj ish-ushtarëve dhe komandantëve të luftës çlirimtare.
Të quash një gjeneral të UÇK-së “njeri i Serbisë”, ata që u rreshtuan për lirinë e Kosovës, është e ulët, e papranueshme dhe politikisht helmuese. Asnjë interes partiak, asnjë mëri personale dhe asnjë rivalitet mes politikanëve nuk i jep askujt të drejtën të njollosë luftën çlirimtare apo të çnderojë burrat që derdhën gjakun për këtë shtet.
Ajo që po shohim tani, një fushatë përshkallëzuese fyerjesh, etiketimesh dhe urrejtjeje e drejtuar ndaj veteranëve të UÇK-së dhe komandantëve të tyre, nuk është debat demokratik. Është degradim moral. Dëmtohet jeta publike, thellohen ndasitë dhe sulmohet vetë themeli mbi të cilin u farkëtuan liria dhe sovraniteti i Kosovës.
Kërkojmë që çdo subjekt politik dhe mbështetësit e tyre të distancohen qartë dhe menjëherë nga një gjuhë e tillë. Mospajtimet politike nuk mund të kthehen në sulm ndaj luftës çlirimtare. Kushdo që e shkel këtë kufi, do të përballet me përgjigjen tonë të vendosur, publike dhe të pakompromis” shkruan organizata.









