Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është pronare e kompleksit Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit.
“Për këtë [pronësinë] nuk ka asnjë dyshim. Pse dikush ka investuar jashtëligshëm, mendoj qe është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë.
Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit.
Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim, dhe destinacionin final këtij objekti, do t’ia paracaktojmë ndërkohë”.
AKP-ja i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se e ka marrë nën administrim këtë kompleks, pasi prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës dhe të njëjtin ia ka lëshuar me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Drejtori menaxhues i AKP-së Arben Limani, ka thënë se janë bërë përpjekje për të kontaktuar me personat apo entitetet që e kanë shfrytëzuar këtë pronë, por nuk kanë marrë përgjigje, andaj kanë kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës që ta marrin nën administrim këtë pronë, që gjendet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe./REL
Artikulli i plotë këtu.