Nesër do të vendoset fati i Sali Berishës nëse gjyqtarja Irena Gjoka do të pranojë kërkesën e SPAK-ut për ta kyçur në arrest shtëpie. Por çfarë do të ndodhë pas ditës së martë me opozitën? Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi i ftuar në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” u shpreh se secili duhet të mbajë hallin e tij dhe se Berisha nuk është problemi i opozitës.
“Arrestim nuk ka këtu. Edhe arrest shtëpie them që nuk ka për të ndodhur. Së pari do të uroja që Berisha të shkojë të paraqitet si të gjithë qytetarët e tjerë. Të kthehet në një histori normale. Normale nuk është por që kanë ndodhur në politikën shqiptare. Nuk po ndodh hataja, fundi i botës. Opozita shqiptare me Berishë pa Berishë do ta bëjë punën e vet.
Berisha nuk e ka statusin moral dhe politik për të drejtuar. Thonë ka 500 mijë vota. Por nuk i ka të gjitha Berisha, por janë ata që nuk duan Edi Ramën. Ne na duhet një zgjidhje tjetër. Opozita nuk mund të jetojë me lavdinë e shkuar dhe anti-komunizmin bosh. Prandaj nuk do ta dramatizoja këtë që po ndodh. Uroj mos të përfundojë me arrestime dhe këto.
Berisha aty do të jetë prapë, nëse nuk ka dëshirë me u larguar vetë. Unë gjykoj se cfarë është në favor të opozitës. Historia personale…secili mban kryqin e vet. Ai (Berisha) do të mbajë kryqin e vet me të mirat dhe të këqijat e vet. Ne e kemi hallin tani. Pas një viti e gjysmë kemi zgjedhje. Kemi humbur dy vite e gjysmë me këtë histori boshe” tha ai.