Arrestohet njëri prej autorëve që qëlloi me armë zjarri drejt berberhanes së Bledi Koçi i njohur si “Xiba” ditën e djeshme në Fier. Ngjarja ndodhi në Fermë Çlirim. Sekuestrohet automjeti me të cilën u larguan autorët, pasi qëlluan me armë zjarri. Personi tjetër është në kërkim.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Fermë Çlirim, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të berberhanes së shtetasit Bledi Koçi 33 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin Nikola Muçi 22 vjeç dhe po punojnë për kapjen e shtetasit Geraldo Hoxha 33 vjeç, banues në Fermë Çlirim.
Pas një konflikti ndodhur kohë më parë me E. K., 30 vjeç, klient në berberhanen e shtetasit Koçit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtij dyqani dhe më pas janë larguar me automjetin tip “ML”, i cili u gjet i braktisur në fshatin Baltëz” njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.