Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka publikuar një video ku një grup serbësh shihen teksa bisedojnë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Sipas Rrustemit, këto pamje janë të 2021-s, e sipas tij, ndër ta ishte edhe Vladimir Radojeviç, i njohur si “Mami”, që ditë më parë u evidentua si pjesëtar i Mbrojtjes Civile” dhe një nga drejtuesit e “Brigadës së Veriut”.
“Vuçiç njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që kreu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Me 13 tetor 2021, disa serbë kishin shkruar t’i rrëfeheshin Vuçiçit për kinse terrorin që Qeveria e Kosovës po i bënte atyre. Ndër ta që u rrëfyen ishte edhe Vladimir Radojevic i njohur me nofkën ‘Mami’” ka shkruar deputeti i partisë në pushtet.
“Mamit”, pjesë e organizatave që Kosova i ka shpallur terroriste, i është gjetur telefoni në vendin ku është iniciuar aktivizimi i minës, nga e cila është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.