Një urdhër arrest europian është lëshuar nga autoritet greke për 37-vjeçarin shqiptar Nardi Idrizi alias Fatbardh Idrizi, i cili akuzohet për plagosjen e tre të rinjve në një restorant në Kretë.
Policia është ende në kërkim të tij që prej plagosjes më datë 17 dhjetor.
Mediat greke shkruajnë se ai mund të arratiset drejt Turqisë ose Maltës dhe sipas tyre shqiptari konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, kjo pasi është një person me precedentë të mëparshëm penal, të përfshirë në vrasje, zhvatje, si dhe trafik droge.
“Shqiptari ishte kreu i një bande brutale në Shqipëri, e përfshirë në grabitje me armë të pikave të karburantit, kazinove dhe bankave” shkruajnë mediat helene.
Më 17 dhjetor, bashkë me mikun e tij, pasi një debati me të rinjtë grekë, Nardi Idrizi ka qëlluar me armë drejt tyre dhe është arratisur. Shoku i tij, Emiliano Jakupi, u vetëdorëzua.