Ka një ngutje të sforcuar të zërave pranë dhe brenda Foltores për të vënë një shenjë barazimi dhe mundësie të njëjtë mes arrestit të mundshëm shtëpiak të Berishës dhe arrestit me burg të Fatos Nanos, me 30 korrik të vitit 1993. Megjithëse ngjarjet zhvillohen 30 vite pas, dhe në këto kohëra kanë ndodhur ndryshime të mëdha, përmbysje dhe ringritje, largime dhe riardhje, ky nuk është ndryshimi i vetëm mes dy ndodhive.
Fatos Nano u arrestua me urdhër politik, pikërisht kur ajo që po ndodhte në Shqipëri tregonte trendin në rritje të opozitës së majtë, humbjen e besimit në qeverisjen e së djathtës dhe humbjen e shumë iluzioneve për barazi socale, të drejta njerëzore dhe prosperitet. Viti 1993 është ndodhta më shkatrrimtari në historinë e Shqipërisë së fundit të shekullit të shkuar, kur, jo rastësisht, në pak kohë u përmbyt gjithçka që ishte ndërtuar, uzina, kombinate, fabrika, tarraca, plantacione; kur arsimi dhe shendetësia morën rrokupujën, kur qindra mijëra njerëz, për shkak të reformave të “ çelkut të bardhë” u gjendën në udhëkryqin e jetës së tyre.
Një vit më parë, korrik 1992, disa muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit, që solli në pushtet opozitën e sapo formuar dhe dërgoi në presidencë Sali Berishën, përmes kërcitjes së shisheve të shampanjës, e majta, që mendohej e mundur përfundimisht dhe që, sipas presidentit të ri, “nuk do të vinte në pushtet bas për 50 vite”, kishte pasur shenjën e parë të ringritjes, duke qenë forcë e parë në zgjedhjet vendore.
Roli i Fatos nanos ishte i dukshëm, ai po bëhej për njerëzit si një lider i besueshëm, e majta po shkonte drejt transformimit të saj, në drejtimin e PS kishin vajtur figura të shquara të mendimit politik dhe shkencor, që nga Dritëroi, Moikomi, Ermelinda Meksi, Etëhem Ruka, Namik Dokle, Spiro Dede, Arta Dade, Limoz Dizdari, Xhevat Lloshi, të gjithë elitë e mendimit progresiv në Shqipëri.
Tani, si duket, historia, me vonesë të jashtëzakonshme, po përsëritet në krahun tjetër. Është e mundur që drejtuesi i Foltores apo Rithemelimit të jetë në arrest shtëpiak, apo, më e pakta, në hetim për korrupsion pasiv apo madhor, çka është, në këtë rast, e njëjta gjë. Ekziston mundësia që ai të jetë në arrest shtëpiak, diku në njërën nga banesat e shumta të vajzës apo të birit, por, si mund të ndodhë, edhe në njërën nga zyrat e selisë së grabitur në fundin e mandatit të tij të dytë si kryeministër.
Ndryshimi mes burgut të bençes dhe selisë së SHQUP-it politik është i jashtëzakonshëm. Edhe ndryshimi mes një qelie dhe një banese komode, nga ato 300 metër katror të dhëndrit është i jashtëzakonshëm.
Nano ndodhej në folezën e grethave, ku e kishin dërguar me qëllim në degradimin e tij, por gjithnjë në rrezik të eleminimit. Berisha, në pa rehatinë më të madhe, do të jetë në njërën nga zyrat me ngrohje të selisë së grabitur. Nano ndodhej në rrethana të vështira, të rënda për çdo lider, që, duke e ditur pafajsinë e tij, e dinte, po ashtu, se burgosja e tij politike nuk ishte masa e fundit ndaj tij.
Në ato vite ai ishte i burgosuri me riskun më të madh të rrezikut. Qeveria, sipas diktatit presidencial, ishte e gatshme edhe më tej të krijonte çdo lloj dhune, deri në atë cak që mund të shpërfytyronte një njeri. Berisha është në pritje të hapjes apo mbylljes së një dosje. Edhe ai e quan ndjekje politike, por 17 kullat e dhëndrit të tij janë aktakuzë e dukshme, ashtu si, tejet të dukshme janë edhe aferat e tij, disa nga të cilat kanë përfunduar me jetë njerëzore.
Nano, megjithëse në kushte të rënda, arriti të drejtojë nga burgu opozitën e majtë. Autoriteti i tij në parti nuk kishte ardhur nga dhuna, por nga mendimi. Ai nuk ishte njeri i diktatit, por i argumentit. Nano opozitar ndryshon shumë nga Nano qeveritar, por edhe në kohën më të artë të pushtetit të tij , ai nuk ishte me prirje absolutiste apo autoritare. Ai i besonte fjalës së tij dhe të tjerët e besonin atë.
Berisha, si kreu i Foltores është në kahun tjetër. Krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, por në këtë rast, veç fjalës arrest, nuk ka asgjë tjetër të përbashkët.
Kreu i Foltores, pas 33 viteve në politikë, po lë pas vetes një opozitë si kurrë ndonjëherë të dërmuar. Nuk ka pasur më parë dhe nuk do të ketë as pas tij një forcë politike të tillë, pa kauzë, pa ide, pa lidership, të mbështetur pas Njëshit, që nuk shikon se çfarë vjen pas tij.
Nëse Nano ishte i mënçur të reduktonte përplasjen e tij me diplomatin Kris Hill, që, sipas tij, e kishte dërguar në burg, Berisha ka përballë murin e shpallur publikisht të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kris Hill ,mund të kalohej, ashtu si u kalua, DASH nuk kalohet dot. Vetëm nëse aty ndodhin ndryshime të mëdha epokale, çka, edhe në këtë rast është vështirë të përmbysë sjelljet dhe qëndrimet e qeverive të shkuara.
Nano mori në “dorëzim” një forcë politike të shkatërruar nga humbja e besimit në idetë që kishte pasur, por të gatshme për të qenë e bashkuar. E majta ka këtë traditë në Shqipëri. Shumë nga hesapet e saj nuk i nxjerr në Pazar dhe gjithnjë, në çastin e fundit, gjen gjuhën e përbashkët. Nano nuk ishte fajtor për çka kishte ndodhur, por do të jetë i aftë të përmbysë një gjendje që dukej pa rrugë zgjidhje.
Kreu i Foltores ka në “dorëzim” një forcë politike të shkatërruar nga vetë ai. Askush nuk i ka bërë më shumë dëm forcës së tij politike, se sa ai që ishte në themelimin e saj dhe mori drejtimin përmes një grushti të vockël në një sallë edhe më të vogël. Opozita, as vetë ajo nuk e di në sa pjesë është ndarë. Tre grupime janë gati të hanë kokën e njëri- tjetrit, dy nga të cilat mund të jenë të gatshme të bëhen pjesë e një qeverie të gjërë. Halli e ka çuar opozitën në dyert e Ilir Metës, gjë që nuk mund të përfytyrohej nga asnjë demokrat dhe shenjë e kalbëzimit të ideve dhe mundësive.
Nano nuk druhej të kërkonte katarsin e partisë së tij, e bënte haptas, nuk kishte asnjë pas skenë ku mund të hidhte dorën, pasi të binte perdja. Ai analizonte, hidhte ide, trajtonte probleme, u drejtohej forukeve, kërkonte perspektivën aty ku dukej se ishte mbyllja. Ia doli. Sa ishte në opozitë, ai ishte idhulli i së majtës. Në pushtet humbi aureorën e tij.
Berisha e ka humbur në opozitë këtë shkëlqim, e ka humbur edhe në pushtet. Që nga çasti kur ai u shpall familjarisht i padëshiruar nga shtetet e fuqishme ango – saksone, Berisha pushoi së qeni simboli i Partisë Demokratike. Ai u kthye e kundërta e saj. Ishte humbja. Ideja e tij për të gjetur një armik dhe, pastaj, për të formuar një kauzë, luftën kundër Shteteve të Bashkuara, me veprimet groteske që mund të thithnin vetëm mendjet e delirantëve dhe metingashëve të strukur në padije, si padia në një gjykatë franceze ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe budallallëqe të tjera, e deligjitimuan atë pjesë të opozitës që shkoi pas tij dhe që, për fat të keq, përbën shumicën e saj.
Nano u ngrit nga hiri, në sajë të ideve dhe kohës që i dhanë për të gjetur vizion të ri. Kreu i Foltores nuk e diti kohën e tij të përfunduar dhe zhyti në hirin e mediokritetit, jo vetëm veten, por tërë strukturën e forcës së tij politike. Nano nuk të detyronte, synonte të të bindte. Berisha kur ia del të të detyrojë, nuk denjon të të bindë.
Nano kishte një kauzë, ringritjen e së majtës. E bëri këtë duke qenë në opozitë, për më tepër i burgosur, dhe nga burgu vajti drejt e në selinë kryeministrore, ku humbi shumë nga ajo që kishte ngritur.
Opozita e Foltores nuk ka kauzë. Edhe sikur të kishte, ajo do të bëhej njësh me hallin e familjes Berisha. Sepse, në një vëzhgim të përafërt, rreth 45 përqind e fjalimeve dhe konferencave të shtypit të kreut të Foltores fjalin për hallin e tij, një pjesë e madhe në kërcënime ndaj qeverisë Rama, pastaj ndaj kreut tjetër rival, Basha, dhe në fund për mosbindjen qytetare, kur as atij vetë nuk i vajtën pas më shumë se 10 qytetarë, në ditën më të vështirë të jetës së tij.
Në ditën kur i hiqej imuniteti si i korruptuar i zakonshëm. Që nuk do të jetë kurrë një i burgosur politik./ DITA