Investimi i miliarda dollarëve për të luftuar ndryshimet klimatike ka qënë një përparësi kryesore për administratën e Presidentit Biden gjatë vitit 2023.
Viti 2023 shënoi nivele rekord në emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë, ndërsa moti i skajshëm u bë gjithnjë e më i pranishëm. Administrata e Presidentit Biden u përqendrua në zbatimin e dy masave legjislative prej disa qindra miliarda dollarësh për klimën.
“Që nga industria e automjeteve elektrike, energjia nga dielli dhe era, bujqësia që nuk e dëmton mjedisin dhe prodhimi i materialeve të pastra si çeliku dhe çimentoja, po shohim hapje masive të vendeve të punës”, thotë Ali Zaidi, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për klimën.
Por miratimi në mars për nxjerrje nafte dhe gazi në Alaskë u perceptua si një premtim i pambajtur nga ata që kërkojnë një ndalim e plotë të nxjerrjes së karburanteve fosile. Uashingtoni argumentoi se ligjërisht i kishte duart e lidhura.
“Projekti ishte miratuar në një formë tjetër në vitin 2018, nën administratën e Presidentit Trump, por u ndalua nga paditë dhe një gjykatë federale kërkoi nga organet përkatëse që të vlerësonte ndikimin ndaj mjedisit. Kështu që vendimi ra mbi administratën e Presidentit Biden”, thotë Martin Lockman me Fakultetin Juridik pranë Universitetit Kolumbia.
Anulimi në shtator i shtatë licencave për nxjerrjen e gazit dhe naftës në parkun kombëtar të Alaskës i qetësoi aktivistët që mbështesin një ekonomi që nuk dëmton mjedisin.
Nga ana tjetër, veprimi nxiti kritika të forta nga republikanët dhe disa komunitete indigjene që varen nga industria e nxjerrjes së naftës dhe gazit./ VOA
Artikulli i plotë këtu.