Futbolli italian po merr masat e para kundër Superligës. Presidenti Gabriele Gravina, në prag të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, kishte kërcënuar me masa shumë të ashpra për klubet që do të merrnin pjesë në garën e re eventuale dhe tashmë FIGC ndërmori hapin e parë dhe të rëndësishëm.
Në Këshillin e fundit Federal në dhjetor, që u zhvillua javën e kaluar, federata italiane miratoi sistemin e licencimit për regjistrimin në ligat 2024/25, me kritere të reja.
Sipas ‘Calcio e Finanza’, klubet do të duhet të depozitojnë në Lega Serie A një “angazhim me shkrim për të mos marrë pjesë në garat që nuk organizohen nga shoqata private që nuk njihen nga FIFA, UEFA dhe FIGC”.
Ky kusht do të jetë thelbësor për të marrë miratimin për licencën për sezonin e ardhshëm, është një “klauzolë e vërtetë kundër Superligës” dhe klubet do të duhet të paraqesin angazhimin përpara datës 4 qershor 2024.
Në Calcio , tani për tani, Napoli është i vetmi ekip që tregoi interes për revolucionin e shpallur nga A22. De Laurentiis bëri të ditur se është “gati për të diskutuar”, ndërsa pjesa tjetër e klubeve të Italisë u shprehën kundër tij (si Interi) ose nuk morën një qëndrim publik. Juventusi, i cili shkoi nga themeluesi i Superligës me Agnelli në shpalljen e largimit me bordin e ri, zgjodhi heshtjen.