Një 73-vjeçar grek ka përfunduar në gjendje kritike për jetën pasi u godit 10 herë me thikë nga një 25-vjeçar shqiptar që tentoi ta grabiste mbrëmjen e së mërkurës në Kefaloni, shkruajnë mediat greke.
Sipas policisë, 25-vjeçari shoqërohej nga një bashkatdhetar 18-vjeçar.
Dy shqiptarët fillimisht thyen xhamin e shtëpisë së të moshuarit në Agia Efimia, ku 25-vjeçari hyri në shtëpi dhe 18-vjeçari ruante hyrjen.
Sipas ERT, kur 73-vjeçari ka hyrë në shtëpinë e tij, 25-vjeçari shqiptar e ka sulmuar me thikë, duke e goditur rreth 10 herë në bark dhe në shpatull. Më pas dy grabitësit u larguan.
Viktima arriti të dilte në rrugë i gjakosur dhe të thërriste ndihmë, duke u shembur në shtëpinë më të afërt që gjeti.
73-vjeçari u dërgua fillimisht në spitalin e Argostolit ku iu nënshtrua një operacioni por në fund u gjykua e nevojshme të transportohej me helikopter në Spitalin Universitar të Janinës.
Më në fund, dy shqiptarët u arrestuan pasditen e së enjtes nga efektivët e Sigurisë së Argostolit dhe Ekipi për Parandalimin dhe Shuarjen e Krimit (OPKE) të Kefalinisë.