Disa persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë kufitare të shtunën pasdite në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, dhe si pasojë njëri nga të dyshuarit, serb i Kosovës, është arrestuar, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia tha se nuk ka të lënduar nga këmbimi i zjarrit mes të dyshuarve dhe oficerëve policorë në fshatin Bube të Zubin Potokut, komunë e banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës.
Të dyshuarit, sipas njoftimit, i shpërfillën urdhrat e policisë për t’u ndalur për kontroll dhe gjuajtën me armë zjarri ndaj oficerëve.
“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë,” njoftoi Policia e Kosovës.
Policia e identifikoi të dyshuarin si serbi i Kosovës nga Zubin Potoku. Ata dyshohet se po kontrabandonin dele nga Serbia në Kosovë.
“Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit,” tha Policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës dhe për rastin është njoftuar prokurori, thuhet në njoftim.
I dyshuari, 42-vjeç, është dërguar në paraburgim ku do të mbahet për 48 orë, sipas njoftimit, dhe përballet tani me akuza për sulm ndaj personit zyrtar dhe për kontrabandë me mallra./ REL