Zbërthimi i aplikacioneve “SkyECC” dhe “Eurochat” solli arrestimin apo hetimin e shumë figurave të larta në vendin tonë, për këtë mediat belge kanë vet-marrë meritat e plota, duke thënë se këto arrestime jo vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera të botës ndodhën falë informacioneve të ardhura nga Belgjika.
“Dy vjet më parë policia belge arriti të hakonte telefonat e koduar të Sky ECC dhe ishte në gjendje të lexonte planet e një grupi të tërë kriminelësh. Në Belgjikë, kjo solli një mori informacionesh dhe arrestimesh, por rezultatet nuk ndalen në kufijtë kombëtarë.
Në të vërtetë, informacioni u nda edhe me disa vende të tjera. Me sukses, në Serbi, për shembull, u shpërbë një kartel i madh droge. Në Kolumbi, një nga kriminelët më të kërkuar të drogës Dairo Antonio Usaga – i njohur si Otoniel – u kap në vitin 2021.
Operacioni “Metamorfoza”
Drejtësia belge mundi t’i transmetonte Shqipërisë shumë informacione interesante. Me emrin e koduar “Metamorfoza”, njësia speciale shqiptare kundër korrupsionit SPAK kreu disa bastisje javën e kaluar.
Tetë të dyshuar u arrestuan, nëntë të tjerë janë ende në arrati. Prej ditësh ka qenë një lajm i madh në Shqipëri, pasi arrestimet nuk përfshijnë vetëm emra nga bota e krimit, por në sy të detektivëve dolën edhe disa oficerë të lartë policie dhe zyrtarë të drejtësisë.
Hetimi është një sfidë për drejtësinë shqiptare: vepra janë kryer nga zyrtarë qeveritarë, oficerë të lartë policie si dhe një prokuror që cenojnë funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës.
Akuzat janë të rënda: vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, trafik narkotikësh, anëtarësim në organizatë kriminale etj.
Në 26 kontrolle në shtëpi janë sekuestruar shuma parash, disa automjete, armë zjarri, telefona. Policia është ende në kërkim të nëntë të dyshuarve, përfshirë një personazh famëkeq në botën e krimit shqiptar, i cili është ende i zhdukur.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla e quajti atë një “operacion kompleks”. “Rrjeti është mbyllur rreth këtyre figurave të krimit të organizuar, si dhe rreth oficerëve dhe prokurorëve që dyshohet se janë përfshirë në krime.”
Në komunikatë, njësia e posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri, SPAK, falënderoi shprehimisht gjykatat belge, holandeze dhe franceze, si dhe Eurojust-in dhe Europolin për bashkëpunimin e tyre” shkruajnë mediat belge.