Këtë vit është shënuar numër rekord i vrasjeve në Kosovë. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha theksoi se vrasjet në 2023-ën kanë shënuar rritje për 40%.
Përmes një grafike ai tha se në vitin 2022 ndodhën 20 vrasje, e nga janari deri në nëntor të 2023-ës ndodhën 28 vrasje. Një nga rastet më të rënda ishte ai i vrasjes së Liridona Murselit, në Bërnicë të Prishtinës, më 29 nëntor të këtij viti.
2023-a ishte vit i zi për sa i përket vrasjeve. Është alarmant numri i vrasjeve që po ndodhin në vendin tonë, e ku sipas Policisë së Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar ka pasur rritje për 40% të këtyre rasteve.
Nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha u konfirmua në fund të vitit që shkoi se nga janari e deri në nëntor të 2023-s janë regjistruar 28 vrasje. Në 2022 sipas tij ndodhën 20 vrasje.
Vrasja e 31-vjeçarit nga Shqipëria në parkingun e “Kobra City” në Prizren
Një rast i rëndë kishte ndodhur në fillim të këtij viti, konkretisht me 3 janar në Prizren, ku Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si “Kobra”, dyshohet se vrau 31-vjeçarin nga Shqipëria, Visar Cengu dhe plagosi një 27 vjeçar në parkingun e lokalit të tij “Kobra City” në Prizren.
Dibran Hoxha me nofkën “Kobra” po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “manipulimi me prova”, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Shkak i konfliktit të nisur brenda lokalit dyshohet se ka qenë fatura prej 400 eurosh që të rinjtë nga Kukësi nuk kishin pranuar ta paguanin.
Vrasja makabre e nënës në Pejë
Në prill të këtij viti, në qytetin e Pejës, kishte ndodhur një akt makabër, ku djali dyshohet se me thikë i ka prerë nënës së tij kokën.
Personi i dyshuar, Urim Hyseni, dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga organet e rendit ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.
I dyshuari pas kryerjes së aktit ishte konsultuar me ekspertin psikiatrik Nysret Pepaj, i cili kishte deklaruar para gjyqtarit të procedurës paraprake se i dyshuari kishte deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodhur edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.
Me këto veprime të të dyshuarit, eksperti Pepaj kishte konstatuar se ai ka çrregullim psikotik.
Vrasja e xhaxhait në Kijevë të Malishevës
Më 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Malishevës, 38-vjeçari Berat Berisha, kishte privuar nga jeta xhaxhain e tij S.B., në oborrin e shtëpisë së tij, për shkak të një mosmarrëveshje mes tyre. Motivi i vrasjes dyshohet të ketë qenë konflikti pronësor.
I dyshuari gjendet nën masën e paraburgimit, ndërsa prokuroria në lidhje më këtë rast është duke kryer hetimet.
Vrasja e 41 vjeçarit në Fushë Kosovë
Arsim Hamiti 41-vjeçar është privuar me thikë nga jeta me 13 shkurt 2023, në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë. Policia kishte marrë informata se i njëjti ishte therur me thikë dhe nga lëndimet e pësuara nuk kishte arritur të përballojë plagët dhe ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar, A.M., dhe L.B., të dy nga 26 vjeç.
Për këtë rast Prokuroria është duke kryer hetime.
Vrasja e pazbuluar në Mitrovicë
Më 10 janar 2023, një 65-vjeçar me inicialet N.G. u vra brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë, ku ishte anëtar, ndërsa raportohet se ende nuk ka të arrestuar për këtë rast, por se hetimet janë duke vazhduar.
Një ditë pas vrasjes, Prokuroria përmes një njoftimi publik bëri të ditur se ajo ishte e dhunshme dhe se sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dal në vendngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.
“Prokurori kujdestar ka dal në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhej në komunikatën për media.
Vrasja e 48 vjeçarit në magjistralen Ferizaj-Kaçanik
48-vjeçari Nysret Cena, i cili ishte ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u qëllua për vdekje, derisa ndodhej në veturën e tij. Ngjarja kishte ndodhur në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, konkretisht në Kaçanik të Vjetër.
Sipas autoriteteve, në automjetin që po e ngiste është shtënë nga afër me kallashnikov, ndërkaq vetura nga e cila dyshohet të jetë shtënë është gjetur e djegur rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.
Vrasja në Dumnicë të Podujevës
Një vrasje tjetër, motivi dhe autori i së cilës ende nuk dihen, kishte ndodhur me 26 mars 2023, në fshatin Dumnicë e Epërme e Podujevës.
Në këtë fshat, rreth orës 18:00, ishte gjetur i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij, 58-vjeçari Sali Salihu. Lidhur me këtë rast është duke u marrë Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndërsa të dyshuarit për këtë rast janë dy vëllezërit, 35 vjeçari Besnik Salihu dhe 22-vjeçari Ilaz Salihu, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët janë arrestuar nga ana e policisë.
Vrasja e rëndë në hotel në lagjen “Arbëria”
Me 18 mars në hotel “Adria”, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, të dyshuarit Avni dhe Mustafë Mustafa në bashkëkryerje e kishin privuar nga jeta viktimën nga Podujeva, Rexhep Tahirin. Motivi i kësaj vrasje dyshohet të ketë qenë pazaret e pronave, ku viktima kishte akuzuar dorasin se e ka mashtruar lidhur me prona.
Vrasja e argjentinases në Fushë Kosovë
Në orët e para të 1 gushtit në Fushë Kosovë, Endrit Nikaj dyshohet se e ka gjuajtur nga kati i gjashtë të dashurën e tij, shtetase të Argjentinës, Maria Clara Urdangaray. Ajo u dërgua në QKUK, mirëpo nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve që kishte pësuar.
Për këtë rast kanë raportuar mediat në Argjentinë e Zvicër, ndërkaq babai i të ndjerës ishte i bindur se vrasja e bijës së tij është femicid.
“Vajza ime kishte folur me mamanë e saj dhe e kishte përshkruar të dashurin si një femëror dhe shumë xheloz. Është një femicide, jam i bindur”, tha Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara.
Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se 32 vjeçari e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh të veturës.
Ndërkaq, së fundi Ministria e Drejtësisë ka vendosur që t’i mbulojë shpenzimet për bartjen e kufomës së viktimës në Argjentinë, pasi familja kishte bërë të ditur se nuk ka mundësi t’i kryejë ato.
Vrasja dhe plagosjet në Bon Vivant
Një tjetër krim goditi Prishtinën mbrëmjen e 4 gushtit. Një përleshje që nisi në një tavolinë të kafiterisë “Bon Vivant” përfundoi me një të vrarë e rreth 17 të lënduar.
Për këtë rast janë arrestuar Andi Pajaziti i njohur si “Italiani”, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj.
Mirëpo, një tjetër person është në arrati për këtë rast. Bëhet fjalë për Dukagjin Nikollajn, i njohur me nofkën “Duka”. Ai ishte i kërkuar nga FBI, dhe qysh prej natës tragjike, ai nuk është kapur ende nga Policia e Kosovës. Bazuar në fletëkërkimin e FBI-së, bëhet e ditur se 40-vjeçari ishte i përfshirë në trafikim të marihuanës në periudhën e viteve 2003-2007.
I vrarë nga përleshja e armatosur ka mbetur Kastriot Ramadani nga fshati Zabel i Ulët i Drenasit.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, përshkruante Prokuroria.
Për këtë rast është edhe një i dyshuar, që ende nuk është identifikuar.
Vrasja e dhëndrit në Klinë
Ndërsa tri ditë më vonë, një krim tjetër ndodhi në një kafiteri tjetër. Por kësaj here në qytetin e Klinës.
Atje Tush Frroku hyri në një kafiteri dhe shtiu shtatë herë mbi tashmë të ndjerin, Anton Prela, të cilin e kishte dhëndër.
Frroku pas kryerjes së krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe pas 8 ditësh ai është dorëzuar në polici. Madje për gjetjen e tij, Prokuroria Themelore kishte aktivizuar dronë dhe Policia e ka shpallur në kërkim, duke ia publikuar edhe fotografinë e të dhënat.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë për Express se fillimisht i dyshuari e ka ftuar viktimën jashtë lokalit e më pas viktima është futur brenda.
Sipas tij, viktima dhe i dyshuari ishin familjarë mes vete.
“Viktima ishte i martuar me motrën e të akuzuarit. Ndërsa edhe ky i fundit, ishte i martuar me motrën e viktimës”, tha ai.
Vrasja në kafiterin në Runik të Skenderajt
Ndërkaq më 10 gusht, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, kishte bërë të ditur se një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë janë plagosur pasi dy persona të maskuar kanë hyrë brenda në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt dhe kanë gjuajtur me armë zjarri.
Të dyshuarit më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kishte mbetur i vrarë Nexhmedin Loshi, 39 vjeç, ndërkaq janë plagosur Qëndrim Januzi 26 vjeç, Fidan Januzi 41 vjeç dhe Muhamet Ramadani 35 vjeç.
Akoma nuk dihen motivet e vrasjes dhe të dyshuarit ende nuk janë identifikuar.
Vrasja e një 65 vjeçari në Mitrovicë
Një 65-vjeçar është gjetur pa shenja jete më 12 gusht, rreth orës 17:15 në rrugën e UÇK-së në Mitrovicë.
Fillimisht ky rast ishte kualifikuar si vdekje e dyshimtë, mirëpo më pas i është bërë autopsia dhe si rrjedhojë e hetimeve, është arrestuar personi i dyshuar
Ndërkaq më vonë u arrestua edhe një person tjetër. I dyshuari i parë është Xh.N., i moshës 43 vjeçare. Atij i ishte konfiskuar vetura e viktimës, e cila është gjetur te ai.
Ndërsa i dyshuari i dytë është K. M., 25 vjeçar.
Vrasja në tregun e druve në Balincë
Ndërsa, më 31 gusht, në fshatin Balincë Sh.K i moshës 29 vjeçare u privua nga jeta. Për vrasjen e tij, janë arrestuar tetë persona në cilësinë e të dyshuarve, ndërkaq dorasi dyshohet të jetë A.G.
Sipas burimeve të T7, motivi i vrasjes ishte një borxh që dorasi ia kishte viktimës.
Viktima i cili ishte tregtar i druve në ditë tragjike kishte shkuar në Balincë për ta kërkuar borxhin nga dorasi dhe më pas ka nisur përleshja që përfundoi me vrasjen e tij.
Rastin e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Vrasja në sy të fëmijës në lagjen “Arbana”, në Prizren
Një vrasje tjetër ka ndodhur në mbrëmjen e 3 shtatorit, rreth orës 19:00 në lagjen “Arbana” në Prizren, pas një zënke që thuhet se ka nisur mes viktimës dhe të pandehurit.
I dyshuari, Aziz Gashi dyshohet se para gruas dhe vajzës 8-vjeçare të të ndjerit, ka shtënë në drejtim të tij me kallashnikov fillimisht 2-3 herë e më pas i është afruar dhe ka shkrepur edhe dhjetë plumba. Si pasojë e plagëve të marra në kokë, Beqir Morina ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Gashi ka qenë në arrati për gati 24 orë mirëpo më pas Policia e kishte gjetur atë në fshatin Tërpezë të Malishevës.
Tashmë, i dyshuari Aziz Gashi ndodhet në paraburgim.
Vrasja e “Dhisë” në Podujevë
Para syve të djalit të tyre 4 vjeçar u vra Valmir Breznica, ndërsa gruaja e tij u plagosë në stomak, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Si motiv i kësaj vrasje dyshohet të jetë hakmarrja. Raportohet se i dyshuari ishte plagosur dhe sulmuar vitin e kaluar nga disa persona përfshirë edhe viktima, Valmir Breznica i njohur me nofkën “Dhia”.
Vrasja me thikë në Gjilan
Një person ka vdekur si pasojë e plagëve që ka marrë nga një therje me thikë në orët e mbrëmjes të 16 dhjetorit në fshatin Dobërçan të Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Valon Osmani ka konfirmuar se policia ka pranuar informacion se një person nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.
Lidhur me këtë rast është arrestuar shoku i viktimës.
Vrasja e shtetasit maqedonas në rrugën “C”
Një ngjarje tjetër e rëndë pati ndodhur në gusht të këtij viti në rrugën “C”. Një shtetas i Maqedonisë së Veriut ishte qëlluar me kallashnikovë gjatë kohës sa ishte brenda veturës së tij.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjentë, është konfirmuar se një person është pa shenja jete. Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Dhëndri vrau vjehrrin në Prishtinë
Më 29 nëntor Prishtina u trondit pas lajmit se një person e kishte therur për vdekje vjehrrin e tij.
E gjitha sipas dyshimeve të para është një mosmarrëveshje mes tyre. Dorasi u arrestua disa ditë pas.
Vrasja e Liridona Murselit
Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj. Më vonë po atë ditë u arrestua edhe Kushtrim Kokalla.
Disa ditë pas u arrestua edhe Tomë Dodaj që dyshohet se ua kishte shitur armën që u përdor në krim të dyshuarve.
Të katërtit aktualisht gjenden në paraburgim. /Express