Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka inspektuar kantierin e autostradës Thumanë-Kashar, ku ka nisur procesi i asfaltimit. Kreu i ARRSH-së, Ervis Berberi deklaroi se autostrada do të jetë gati për qarkullim për sezonin e ri turistik. Ai gjithashtu bëri me dije se Thumanë-Kashar është e para autostradë në Shqipëri që do të jetë e kufizuar me gardhe rrethuese nga të dyja krahët për të rritur sigurinë dhe shpejtësinë e lëvizjes, që sipas ndryshimeve në kodin rrugor në rrugët e kategorisë A do të jetë 130 km/h.
“Kemi 11 ura, mbi 100 vepra të tjera arti që janë kanale kulluese të ndërmjetme dhe kemi gjithashtu 6 nënkalime. Për çdo aks rrugor që ndërpritet, që i shërben komunitetit ne kemi ndërtuar nënkalime. 6 nënkalime dhe mbikalime. Dhe dy nyjet e mëdha, që janë nyja e Rinasit dhe nyja e madhe që kryqëzohet me autostradën Tiranë-Durrës. Kemi punuar me ndërtimin e bazamenteve dhe pastaj e liruam trafikun.
Janë përgatitur të gjithë trarët për urat, nga drejtimi i jugut për në veri shihet se janë duke u vendosur trarët, të tjerat janë duke u hedhur soletat. Kompania pas 15 ditësh do të punojë me dy turne nga 12 orë për të kapur afatin që i kemi vendosur, që është sezoni turistik i këtij viti, që duhet të na kapi me një rrugë në funksionim të plotë” tha ai.