Partitë opozitare që kontestojnë rregullsinë e zgjedhjeve në Serbi kanë pezulluar protestat e përditshme dhe kanë paralajmëruar vetëm tubime të herëpashershme më të mëdha – pas Krishtlindjeve ortodokse.
Festat, si dhe pjesëmarrja relativisht e ulët në protesta, pavarësisht akuzave të rënda dhe grevave të urisë, e detyruan opozitën të tërhiqet dhe të përpiqet të ruajë energjinë e pakënaqësisë së qytetarëve.
Mbeti e paqartë se si do të organizohen tubimet e reja, por drejtuesi i listës “Serbia kundër dhunës”, Miroslav Aleksiq, tha se opozita “do të ketë një përgjigje, nëse qeveria përpiqet të konstituojë parlamentin republikan dhe atë të Beogradit këtë muaj.”
Autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve të Beogradit nëse për këtë ekziston shumica, ndërsa zgjedhjet republikane dhe ato krahinore konsiderohen si të rregullta dhe pa gabime. Ndër temat më të rëndësishme ka qenë në fushatë Kosova.
Presidenti Aleksandar Vuçiq deklaron se “nuk do të ketë hetim ndërkombëtar kur bëhet fjalë për zgjedhjet” dhe se “nuk i intereson se çfarë thonë mediat e huaja dhe qeveritë e huaja për këtë dhe se ata farë Gonzalezat dhe mrekullitë e tjera mund t’ia varni maces nga bishti”./ DW