Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel njoftoi planin e tij për t’u tërhequr nga posti, në mënyrë që të garojë për një vend në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e qershorit.
Kjo do të bëjë që ish-kryeministri belg të largohet përpara se mandati i tij të skadojë në fund të nëntorit.
Vendimi i tij ka shkaktuar polemika në radhët e krerëve të qeverive evropiane, pasi një largim i tillë do të rrezikonte që roli të binte përkohësisht në duart e kryeministrit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban. Hungaria do të marrë presidencën 6-mujore të radhës të bllokut me 27 anëtarë më 1 korrikun e ardhshëm.
Duke reflektuar mbi mandatin e tij katërvjeçar si lider evropian, në një intervistë për mediat belge Michel tha: “Është përgjegjësia ime të jap llogari për punën time këto vitet e fundit dhe të propozoj një projekt për të ardhmen e Evropës.”
Ndërsa mandati aktual i Michel përfundon në nëntor, zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë planifikuar për qershor. Ai pritet të udhëheqë listën e Partisë Liberale të Lëvizjes Reformiste, për të cilën ai është një ish -udhëheqës, në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
“Kjo do të thotë se unë do të vazhdoja punën time si president i Këshillit Evropian derisa të betohesha eurodeputet në 16 korrik,” deklaroi ai.
Michel ka shërbyer si president i Këshillit Evropian, grupi i liderëve qeveritarë të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), që nga fundi i vitit 2019. Para përgjegjësive të tij në BE, ai shërbeu si Kryeministër i Belgjikës.