Gjykata e Posaçme ka zbardhur sot vendimin për masën e arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas gjyqtares Irena Gjoka, Sali Berisha në mënyrë të qëllimshme nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.
Pretendimet e Sali Berishës lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, sipas Gjokës nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre por ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë. Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës.
Gjykata thotë se pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë.
Referuar rrethanave më sipër gjykata vlerëson se nevojat e sigurimit në ngarkim të të hetuarit Sali Berisha, lidhur me rrezikun e dëmtimit të provave për sqarimin e fakteve penale, janë të tilla që të justifikojnë masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, pasi çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe nga ana e prokurorisë duhet të kryhen ende veprime hetimore dhe procedurale në funksion të këtij hetimi.