Në një konferencë për media nga Bavaria ,Kryeministri Edi Rama, ka komentuar marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Rama tha se Shqipëria nuk është zgjidhje për emigracionin e paligjshëm, sepse është vend i vogël dhe nuk ka mjetet, por shtoi se ka mundësinë të japë kontributin e saj.
“Kemi folur për tema që kemi diskutuar dhe hedhur në tryezë dhe me kryeministrin tuaj gjatë vizitës në Tiranë, kemi folur për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe mendon të kontribuojë kundër emigracionit të paligjshëm që kemi arritur me Italinë.
Dua të them se Shqipëria nuk është zgjidhja, nuk kemi mjetet. Zgjidhja nuk është në duart as të një vendi të madh, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në zgjidhje. Çdo përpjekje e veçuar mund të sjellë pasoja. Ndaj familja europiane duhet të qëndrojë bashkë dhe të bjerë me një përgjigje të vetme që u përgjigjet brezave të ardhshëm, jo politikë së ditës.
Jemi këtu, duam të jemi pjesë e zgjidhjes. BE është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufij të brendshëm. Hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri, duhet të dalësh nga BE”, tha Rama.









