Lulzim Basha është shprehur sot se në lidhje me Reformën Zgjedhore ka një komplot, duke nisur nga Edi Rama, PS dhe më pas të tjerët, për të cilët tha se shahen ditën ndërsa natën bëjnë pazare për të mos lejuar listat e hapura.
“Teatri i reformës zgjedhore që me ndihmën e regjisorit Edi Rama ka marrë drejtim qesharak. Debati është zhvendosur përdhunshëm në lloj lloj temash, por jo në thelbin e intersit të shqiptarëve. Ka një komplot, duke nisur nga Rama dhe PS dhe nga të tjerët që bëjnë sikur shahen ditën por natën bëjnë pazare, që të mos kemi lista të hapura.
Në funksion të këtij komploti, ndodh ajo që quhet tym dhe pasqyra. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm dhe tani është koha për një sistem zgjedhor.
Në 24 orë të bësh xhiron e medias diskutohet për gjithçka përjashtuar këto çështje. Përpjekja për të na hequr nga këto çështje diku me tym dhe pasqyra dhe diku me shfaqje si ajo e paradites, nuk do të na kthejë pas. Listat e hapura, barazia e votës, pra Shqipëria një zonë elektorale.
Një deputet në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, në Kukës me 13 mijë vota. Mënyra për ta zgjidhur është Shqipëria një zonë elektorale dhe kjo i jep fund debatit se ku do të votojë diaspora, siç e ka Kosova apo Holanda. Javët do të kalojnë dhe pastaj do të thotë Edi Rama s’kemi kohë.
Ndaj dhe shfaqje si ajo e sotmja edhe në mos qofshin plotësisht të koordinuara, i shërbejnë vetëm atij që nuk e do reformën zgjedhore. Ky është një kurth që nuk do të arrijnë ta fusin dot kollaj Partinë Demokratike. Edi Rama e di që me këtë Kod nuk mund të shkojë në zgjedhje” tha Basha.