Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Shkup për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike që ka miratuar Komisioni Evropian për këtë rajon. Nën sirenat dhe paralajmërimet për një konflikt të armatosur samiti vjen në një moment të nxehtë. Analisti Fejzi Hajdari në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” shprehet se do të jetë shumë e vështirë që të plotësohen kushtet nga qeveritë e Ballkanit për të përfituar 6 miliardë Euro fonde nga BE.
“Ky samit ka të bëjë me shumën 6 miliardë Euro për periudhën 2024-27, por si kusht u është vendosur shteteve që të vazhdojnë reformat në gjyqësor për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së. Por në Maqedoni, ministri i Jashtëm Bujar Osmani dhe zv/ kryeministri për integrimin kanë thënë se përderisa nuk marrin datën për çeljen e negociatave, reformat janë gati të pamundura.
Kusht themelor është reforma në gjyqësor, por në Maqedoni vetëm 2% e qytetarëve kanë besim tek drejtësia. Asnjë nga funksionarët e qeverisë së kaluar nuk po vuan dënimet. Gjyqësori është problemi kryesore. Politikanët janë korruptuar. Edhe ata që dënohen shumë pak ose aspak nuk e vuajnë dënimin. Unë jam shumë skeptik që qeveritë në rajon vështirë se do i bëjnë reformat që janë vendosur si kusht për të thithur fondet në dispozicion” tha ai.
Pas pak ditësh Maqedonia do të ketë në krye një kryeministër shqiptar, por Hajdari e cilëson këtë talljen më të madhe për shqiptarët. “Çështja e kryeministrit shqiptar është gjejë më ofenduese, do të jetë kukull, sa për dekor, pa kompetenca ekzekutive. Unë e kam përdorur me shaka, do të kemi një kryeministër të “synetisur”. Kjo është ajo që ne si shqiptarë nuk po mund të realizojmë të drejtat. Këtu në Maqedoni, shqiptari nuk ka qenë asnjëherë drejtor i doganave, sigurimit shtetëror, ministër i Punëve të Brendshme, me mandat të plotë” tha ai.
Opozita, tha më tej ai, do të jetë përcaktuese për zgjedhjet e 8 Majit dhe se Albin Kurti ka trembur Ali Ahmetin. “Prania e tij këtu, e Albin Kurtit ku grumbulloi 50 mijë qytetarë në Tetovë e trembi me të madhe Ali Ahmetin. Dhe tani thotë se Albin Kurti po përzihet me punët e brendshme. Ky Ali Ahmet nuk e tha asnjë fjalë, ju e dini që partia e Vucicit ka pasur një deputet këtu (Maqedoni) dhe Ali Ahmetin nuk e pengon partia e Vucicit, por kjo e Albin Kurtit” tha ai.