Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën në Shkup se vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.
Ai i ka bërë këto deklarata në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor. Kercenimet per sigurine duhet te nderpriten”, ka thënë shkurt Kurti.
Kurti e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas Kurtit është “edhe qëllimi, edhe fati ynë”.
Nikoqir i takimit është kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.