Mosmarrëveshjet për borxh jo rrallëherë kanë shkaktuar konflikte, që kanë eskaluar në kanosje, gjuajtje me armë, përleshje e madje edhe tragjikisht. Kështu dyshohet se ndodhi edhe të hënën në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, ku pati të shtëna me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Një 23-vjeçar nga Vitia dyshohet se ka gjuajtur me armë në këtë fshat, pasi u kap me tre persona si pasojë e një borxhi të mëhershëm. I dyshuari ndodhet në arrati, pasi menjëherë pas kryerjes së veprës është zhdukur dhe Policia s’ka arritur ende ta ndalojë.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme dhe ka marrë deklaratat e viktimave, për të zbuluar se si ka ndodhur ngjarja. Teksa më pas njësitet policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij në Viti, ku kanë gjetur një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur nga i dyshuari.