Dhjetra familjarë të pengjeve që po mbahen nga Hamas hynë me forcë në mbledhjen e një komisioni parlamentar të hënën në Izrael duke kërkuar një marrëveshje që do të sigurojë lirimin e të dashurve të tyre.
Duke mbajtur pankarta, familjarët e pengjeve brohorisnin “Nuk do të rrini ulur këtu ndërkohë që ata po vdesin atje!”
“Këta janë fëmijët tanë!” thërrisnin ata. U desh që disa prej tyre të frenoheshin fizikisht dhe të paktën njëri prej tyre u nxorr përjashta.
Ky zhvillim është shenjë e trysnisë së shtuar ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Para publikut izraelit ai po këmbëngul se ofensiva shkatërrimtare ndaj Gazës është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e pengjeve. Njëkohësisht, ai ka refuzuar vizionin amerikan për një zgjidhje të pasluftës, duke deklaruar se nuk do të lejojë kurrë krijimin e shteti palestinez.
Mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Gazës e kanë vendosur Izraelin kundër aleatit të saj kryesor dhe shumicës së bashkësisë ndërkombëtare. Ky mospajtim paraqet edhe një pengesë serioze për planet e qeverisjes së Gazës pas luftës apo rindërtimit të territorit bregdetar, pjesë të së cilit janë bërë të pabanueshme për shkak të bombardimeve izraelite.
Ndërkohë, sulmet izraelite dhe bombardimet janë shtuar brenda dhe përreth qytetit Khan Yunis në Rripin e Gazës. Familje të tëra palestineze po ikin nga kjo pjesë për në jug.
Brenda qytetit, i cili është shndërruar në zonë luftimesh për javë të tëra, njerëzit hapën varre për të varrosur të vdekurit brenda oborrit të spitalit Al-Nasser ndërkohë që punonjësit e spitalit po mundoheshin t’u jepnin ndihmë dhjetëra të vrarëve dhe të plagosurve, në mesin e të cilëve edhe fëmijë. Sipas zyrtarëve shëndetësorë, të paktën katër shkolla në të cilat po strehoheshin të zhvendosurit nga pjesët tjera të qytetit, përfshirë zonat e shpallura si të sigurta, janë sulmuar.
Interneti dhe sinjalet e celularëve sërish u ndërprenë të hënën, për të dhjetën herë që nga fillimi i luftës. Ndërprerja e vazhdueshme, sipas zyrtarëve të OKB-së, po pengon rëndë shpërndarjen e ndihmave që janë jetike për popullatën 2.3 milionëshe të Gazës. Ajo po ashtu u pamundëson palestinezëve të komunikojnë me njëri tjetrin dhe me botën.
Kryeministri izraelit Netanyahu është zotuar se do ta vazhdojë ofensivën deri “në fitoren e plotë” kundër Hamasit dhe kthimin e pengjeve të rrëmbyera me 7 tetor gjatë sulmit të grupit militant në vendbanimet izraelite që nxiti luftën duke lënë 1200 të vdekur dhe duke rrëmbyer rreth 250 pengje.
Izraelitët janë gjithnjë e më të përçarë nëse është e mundur që të realizohet ndonjëri nga zotimet./VOA