Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për atë që do të ndodhë nesër, ku në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut do të jetë një shqiptar, Talat Xhaferi. Rama nuk i kursen lavdet për Ali Ahmetin.
“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet…
Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë!
E duke parë foton bashkëngjitur të një tjetër arritjeje historike të lidershipit të Ali Ahmetit, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto😍” shkruan Edi Rama.
Dorëheqja e Kovaçevskit dhe ardhja e Xhaferit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj.








