Trafiku i drogës ka marrë një goditje e cila mund të konsiderohet historike, kjo pasi policia e Perusë kapi mbi 7 tonë kokainë e cila vinte nga Bolivia dhe kishte si destinacion përfundimtar Evropën.
Drejtori i Drejtorisë Kundër Drogës (Dirandro) të PNP, gjeneral PNP Zenón Loayza, theksoi se sasia totale e drogës e sekuestruar ishte 7297,16 kilogramë alkaloid kokainë dhe vuri në dukje se i kanë dhënë një goditje mafies ndërkombëtare që operon në këtë fushë.
“Ky veprim paraqet një goditje të rëndë për ekonomitë e organizatave ndërkombëtare të trafikut të paligjshëm të drogës pasi kjo ngarkesë vlerësohet në më shumë se 10 milionë dollarë në tregun vendas dhe arrin në 300 milionë dollarë në tregun ndërkombëtar”, tha ai.
Operacioni i quajtur “Mafia Global Conteiner” u krye nga disa agjenci ligjzbatuese vendase si dhe ka pasur mbështetjen e DEA-s amerikane, si agjencitë e inteligjencës policore të Bolivisë, Belgjikës dhe Holandës. Policia sqaroi se u bë i mundur lokalizimi i tre kontejnerëve nga Bolivia me një ngarkesë me pllaka druri, njëra prej të cilave përmbante pllaka me material sintetik të zi ku ishte kamufluar ngarkesa me kokainë.