Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme të reja ajrore kundër objektivave iraniane të shtunën vonë, duke i goditur 36 caqe të grupit rebel, Huthi, në Jemen, dhe duke e përmbushur zotimin se do t’i vazhdojnë veprimet ushtarake ndaj grupeve të cilat i kanë sulmuar interesat e Perëndimit në rajon.
Në një komunikatë për media, SHBA-ja tha se sulmet u kryen nga luftanijet dhe nga avionët luftarakë. Sulmet janë pjesë e përgjigjes hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara, pas një sulmi me dron në Jordani muajin e kaluar, ku u vranë tre ushtarë amerikanë.
Për këtë sulm, Uashingtoni e fajësoi Iranin dhe aleatët e tij që veprojnë në Siri dhe Irak. Sipas njoftimit, 13 lokacione të ndryshme në Jemen u goditën nga avionët luftarakë amerikanë F/A-18 dhe nga luftanijet amerikane në Detin e Kuq.
Të shtunën, zyrtarët amerikanë thanë se besojnë se sulmet ajrore ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak të premten ishin të suksesshme dhe paralajmëruan sulme të tjera shtesë.